Ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit të Qeverisë së Kosovës, Fatmir Limaj ka shprehur bindjen se telashet fillestare në lidhje me ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare tashmë janë tejkaluar dhe se punimet në ndërtimin e këtij projekti nacional kanë marrë hovin e duhur. Madje duke vlerësuar dinamikën aktuale të punimeve, Limaj ka pohuar se në rast se vazhdohet me këtë trend, segmenti i parë i kësaj rruge mund të vihet në përdorim në pranverë të vitit të ardhshëm.
“Intensiteti i punëve është shtuar. Këtu punohet 24 orë pandërprerë dhe ajo çka është me rëndësi është se hapja e autostradës iu ka afruar qytetit të Prizrenit. Kjo është dëshmia më e mirë që tregon se punët po shkojnë sipas dinamikës së paraparë. Nëse vazhdon kështu besoj që ju dhe ne deri në pranverë do të përdorim këtë segment të autostradës për të vazhduar në drejtim të Shqipërisë”, ka thënë ministri Limaj, të mërkurën, gjatë përurimit të rrugës në fshatin Shkozë të Prizrenit, lokalitet ky që ndodhet shumë afër trasesë së autostradës.
Ndërkohë zyrtari i lartë qeveritar është takuar edhe me përfaqësuesit e kompanisë së kontraktuar për ndërtimin e autoudhës “Bechtel&Enka” në kampin e tyre, por nuk është prononcuar për mediet.
Paraprakisht ai ka sqaruar se telashet në lidhje me jetësimin e këtij projekti madhor kanë qenë të lidhura kryesisht me procesin e shpronësimit, të cilat sipas tij ngadalë janë vënë në binarë të zgjidhjes.
“Shteti i Kosovës për herë të parë ka hyrë një proces të madh të shpronësimit kaq të madh dhe ka pas telashe, por ato po tejkalohen”, është shprehur Limaj në Shkozë, duke theksuar se me investimet e Qeverisë së Kosovës dhe asaj lokale rajoni Lumës dhe i Vërrinit po transformohen në tërësi.
“Ky regjion i cili dikur ka qenë me fat jo të mirë për faktin e pozitës gjeografike, që ka pas në një presion të vazhdueshëm, sot është kthyer në një regjion më me fat në kosovë, për faktin që çdo gjë e mirë po fillon nga këtu. Sot po e përurojmë këtë rrugë lokale por përballë nesh është duke hedhur shtat autostrada e së ardhmes dhe shpresës së këtij shteti të ri. Këta banorë çdo ditë po e jetojnë dhe po e shohin këtë projekt nacional madhor të paimagjinuar, një ëndërr të kahmotshme të brezave që kanë jetuar në këtë vend i cili po bëhet realitet”, ka deklaruar Limaj. Me këtë rast ai ka thënë se MTPT-ja me investimet në përmirësimin e infrastrukturës nëntokësore dhe rrugore, së pari ka larë borxhin ndaj sakrificës së gjeneratave të kaluara, duke krijuar kushte më të mira që pasardhësit e tyre të jetojnë më mirë në këto treva. Ndërtimi i kësaj rruge të gjatë tri kilometra, bashkë me rregullimin e kanalizimit prej afër katër kilometrash ka kushtuar mbi 810 mijë euro.
Kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja është shprehur mirënjohës që Qeveria e Kosovës dhe MTPT-ja në përputhje me prioritetet e qeverisë lokale po investojnë në këtë zonë.
“Prapa shpinës tonë po hedh shtat edhe autostrada që do të na lidh me bregdetin dhe brendinë e Ballkanit dhe të gjitha këto investime sigurisht se do të ndikojnë pozitivisht në përmirësimin e jetesës së qytetarëve”, ka thënë Muja, i cili ka uruar edhe qytetarët e fshatit Shkozë për projektin e realziuar që sipas tij ka dëshmuar bashkëpunimin e ngushtë mes komunitetit, qeverisë lokale dhe asaj qendrore.
Në paraqitjet e mëparshme, ministri i Transportit, Limaj pat theksuar se autostrada e gjatë mbi 110 kilometra do të ndërtohet segment pas segmenti, dhe se gjërësia e tij do të jetë 28 metra dhe me katër korsi. Punimet pritet të përfundojnë brenda 36 muajsh. Fillimi i ndërtimit të autostradës nga njohësit e ekonomisë shihet si mundësi për zhvillimin e vendit, pasi përmes këtij projekti sigurohet lidhja e shpejtë me portin e Durrësit.
24media - gjithcka ne shqip
No comments:
Post a Comment